Kredia për sektorin privat është zgjeruar me ritme të larta në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, duke reflektuar një kërkesë të lartë për financim nga sektori privat, kushtet e favorshme të financimit, si dhe gatishmërinë e bankave për të
përmbushur këtë kërkesë.
Sipas raportit të publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë mbi tendencat e kreditimit vërehet se bankat kanë rritur financimin me ritme më të larta në sektorin e turizmit.
Kredia për sektorin e turizmit u rrit me 13%, ose dyfishi i normës së rritjes të vërejtur në pjesën e dytë të vitit 2023.
Nga të dhënat vërehet se edhe kreditimi për sektorin e bujqësisë që lidhet me turizmin idirekt shfaqi rritje dyshifrore prej 12%. Po ashtu, interesant është fakti që ka pasur rritje të mbështetjes me hua edhe për industrinë.
Sipas Bankës së Shqipërisë ritmet e rritjes së dhënies së kredive prej 10% rikthyen në terren pozitiv kontributin e këtij sektori. Brenda këtij sektori është dega e industrisë përpunuese, e cila fitoi më shumë financim nga bankat.