Bizneset dhe qytetarët po vijojnë të orientohen në marrjen e huave në monedhën lek. Sipas raportit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë edhe gjatë këtij viti vihet re një ndryshim i tendencës së kredive që jepen në lekë duke tejkaluar ato në valutë, kryesisht në euro. Portofoli i kredive sipas monedhës, evidenton se kredia në lekë ka peshën më të madhe në totalin e kredisë me 53.7 %, duke pësuar një rritje me 4 %. Sipas Bankës së Shqipërisë struktura e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë për vitin 2023, evidenton kreditim më të madh të bizneseve kundrejt individëve. Sektorët më të kredituar të ekonomisë vazhdojnë të mbeten “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” me një peshë prej 30.3% të portofolit, pasuar nga sektori i “Ndërtimit” me një peshë prej 17.3% dhe sektori i “Industrisë përpunuese” me një peshë prej 12.4%. Analiza e kredisë sipas llojit të subjektit evidenton një përqendrim më të lartë në sektorin privat, rreth 60.8 %. Edhe kredia për individë rezulton në rritje me 23 miliardë lekë, ndërsa huaja dhënë sektorit publik ka regjistruar një rënie me 8.4 miliardë lekë.