Banka e Shqipërisë bëri të ditur se totali i kredisë së re për blerjen e pasurive të paluajtshme nga biznesi dhe individët shënoi 17,2 milionë lekë në 4-mujorin e parë të vitit 2025.

Sipas statistikave të publikuara në raportin e politikës monetare të BSH-së, kredia për pasuritë e paluajshme për këtë periudhë u rrit me 19% me bazë vjetore.

Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë i takon individëve, me afërsisht 52,4 % të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 47,6 % është kredi e dhënë për bizneset.

Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën portofolin kryesor të huadhënies së dhënë për ekonomisë.

Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona. Në pjesën më të madhe, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi).

Dinamika më e zhvilluar për blerjen e pasurive të paluajtshme vihet re kryesisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet, teksa shënon tendencë në rritje kredia e re për blerjen e banesave në monedhën euro.

Në fillim të muajit maj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa limite për vlerën e kredisë për pasuritë të patundshme për individët.

Duke nisur nga 1 korriku i këtij viti bankat do të zbatojnë masa e BSH-së që konkretisht përcaktojnë: tavani për vlerën e kredisë ndaj kolateralit për kreditë në monedhën lek do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Ndërsa në valutë do të jetë përkatësisht 75% dhe 70% për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.

Kësti ndaj të ardhurave për kreditë në monedhën lek do të jetë 40% për blerjen e shtëpisë së parë dhe 35% për blerjen e një shtëpie të dytë. Për kreditë në valutë, ky kufi përcaktohet në 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpitë e tjera.

Pra për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8,5 milionë lekë.