Investimet e huaja direkte shënuan rritje në 3-mujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë 2024.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte arritën në 362 milionë euro, në 3-mujorin e parë 2025, me rritje rreth 2% krahasuar me periudhën janar -mars 2024.

“Injektimi me kapital të ri dhe riinvestimi u zgjeruan me 8 milionë euro në terma vjetorë”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Në totalin e investimeve të huaja për këtë periudhë, kryesojnë investimet në pasuritë e paluajtshme me 97 milionë euro.

“Gjatë tremujorit të parë 2025, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 27%, sektorin e ndërmjetësimit financiar në masën 21%, hidrokarbureve në masën 14%, energjitikës në masën 6%, si dhe komunikacionit në masën 4%”, bën të ditur Banka e Shqipërisë.