Saturday, November 23, 2024
HomeLAJMEBSH: Inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në...

BSH: Inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim

Banka e Shqipërisë bën të ditur se inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko deklaroi sot se, informacioni i ri i marrë në analizë vijon të ilustrojë ndikimin që konflikti ushtarak në Ukrainë ka mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike. Sipas tij, rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve të Bankës së Shqipërisë sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022. “Ky inflacion pasqyron në masën më të madhe efektet direkte të goditjes së ofertës që vjen nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, pasojat e kësaj goditjeje rrezikojnë të forcohen dhe të zgjaten në kohë, si pasojë e kërkesës relativisht solide për mallra e shërbime në vend”, tha Sejko. Guvernatori njoftoi se, në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në horizontin afatmesëm dhe sinjalizon vullnetin tonë për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve. “Inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2 % dhe 6.7 %. Këto nivele ishin në kahun e sipërm të pritjeve tona”, tha Guvernatori, teksa vuri në dukje se, baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës. “Në këndvështrimin makroekonomik, presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat e larta të inflacionit në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit, si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend”, u shpreh Sejko.

https://ata.gov.al/2022/07/06/bsh-inflacioni-do-te-vijoje-te-mbetet-i-larte-ne-tremujoret-ne-vijim/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments