Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional”, që adresojnë masa të shtuara për kontrollin në institucionet financiare jobanka.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës theksoi se ndryshimet ligjore pritet të hyjnë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.

“Ndërhyrjet do të jenë në normat e interesit që aplikohen nga këto institucione si dhe do të ketë kritere më të forta për aprovimin e kredive që do t’u jepen qytetarëve”, tha Sejko.

Kreu i Bankës Qendrore e ka cilësuar pozitiv për ekonominë forcimin e lekut. Ndërkohë, dobësimin e euros kundrejt lekut e argumenton me flukset turistike gjatë verës.

“Ekonomia ka vijuar trendin në rritje, kredia me probleme është në nivele të ulëta 4.6 % dhe kreditimi në lekë ka shënuar rritje me 20 %, ndërsa kreditimi i ekonomisë me bazë vjetore u rrit në nivelin 15 %”, tha Sejko, teksa vuri në dukje se norma e inflacionit paraqitet e stabilizuar në nivelin 2.1 %, ku pa dyshim ndikim ka dhënë forcimi i lekut dhe inflacioni i importuar në rënie.

Sejko vlerësoi ecurinë pozitive të turizmit në rritjen e sektorit financiar dhe bankar, që siç tha ai, ka ndikuar në kreditimin e turizmit.

Në raportin e Stabilitetit Financiar, që është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, theksohet se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, por kredidhënia duhet të moderohet.

“Do të ketë filtrim më të mirë të klientëve që janë huamarrës në këto institucione, duke parandaluar një moshë të caktuar, një aftësi të caktuar”, tha Guvernatori.

Gjithashtu, vijoi ai, për të saktësuar dhe përmirësuar më tej aktet rregullative për institucionet jobanka, BSH është duke punuar me Bankën Botërore për një rregullore të re, që do të jetë në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve nga institucionet financiare jobanka dhe do të adresohet në disa elementë konkretë, siç është analiza financiare e konsumatorëve, më e fortë se e deritanishme, ku do të merret në analizë gjendja e tyre financiare.

Guvernatori paralajmëroi po ashtu rishikim edhe të formulës që përcakton normën maksimale të interesit për mikrofinancën.