Sipas të dhënave, vlera totale e kredive të ristrukturuara arriti në rreth 1,25 miliardë lekë që përfaqëson më pak se 1% të fluksit të kredisë së re gjatë periudhës dhe 3,5% të stokut të kredive me probleme.

Ristrukturimi i kredisë është një mekanizëm i përdorur nga bankat për të lehtësuar barrën financiare të kredimarrësve, duke ofruar lehtësi në ndryshimin e afatit të maturimit, kapitalizim të interesit, rinegocim të normës së interesit, përfshirje të një huamarrësi shtesë ose ndryshim të huamarrësit origjinal.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ristrukturimet kanë qenë më të përqendruara në kreditë në lekë dhe në valutë të sektorit të biznesit, të cilët kanë kërkuar kryesisht zgjatje të afatit të shlyerjes.

Fluksi vjetor i kredive të ristrukturuara është në rënie, pasi gjatë këtij gjashtëmujorit vlera e tyre përfaqëson vetëm 23% të vlerës së ristrukturimeve të të njëjtës periudhë të vitit 2021.