“SEPA është një nga sukseset që Banka e Shqipërisë numëron në aktivitetin e vet. Në këtë sukses ka rol i gjithë konteksti ekonomik dhe politik shqiptar, sepse rregullat nuk lidhen vetëm me kontekstin e bankës qendrore, por janë përtej kësaj. Gjatë procesit të aplikimit duhet të dëshmosh që aspiratat politike të vendit përputhen me vende të BE. Me të gjitha këto kritere merresh në shqyrtim. Bankat e kanë përqafuar këtë ide. Ne e kemi bërë me dije ambicien tonë për të qenë pjesë e SEPA-s. Po ushtrojmë presion pozitiv që bankat të ndërgjegjësohen. Interesat e vendit e kërkojnë që bankat, të paktën ato më të mëdhatë, të jenë pjesë e SEPA-s në afatin minimal që procesi lejon dhe brenda muajit prill  të kryejnë aplikimin. Pra, ky presion pozitiv lidhet me ambicien që anëtarësimi në SEPA të bëhet në kohë,” tha Ahmetaj.

Zëvendësguvernatorja e BSH-së u shpreh se Banka e Italisë ka qenë një partner i Shqipërisë, edhe me programe binjakëzimi. Sipas Ahmetaj, anëtarësimi në SEPA do të sjellë shpejtësi në transaksione, madje pagesa që mund të kryhen brenda 2-3 sekondash.

“Banka e Italisë ka qenë partneri ynë, kemi pasur dhe programe binjakëzimi që na kanë hapur horizontin në çfarë mund të investojmë. Ky bashkëpunim ka vazhduar në mënyrë natyrale. Ne kuptuam që mund të përfitojmë nga roli dominant i Bankës së Italisë në sistemin e pagesave,” tha ajo.

“Banka e Italisë ka qenë një ndër pioneret në eurozonë. Ne kuptuam që mund të përfitonim paraprakisht nga ky posedim i informacionit. Të jesh pjesë e SEPA-s është që bankat shqiptare do kenë detyrimin që transaksionet, për shembull, unë të kem të drejtë të transferoj fonde në euro dhe të urdhëroj marrjen e fondeve nga një vend i SEPA tek unë, të dy komponentët do të bëhen shpejt si brenda vendit. Të dy kanë aspekte pozitive,” shtoi Ahmetaj.

Sipas saj, “këto janë pagesa më të shpejta brenda ditës dhe të lira si pagesat kombëtare. Zona SEPA-s ka dhe pagesa të shpejta që bëhen brenda 2-3 sekonda me një infrastrukturë që mundëson këtë shpejtësi. Është një platformë tjetër e integruar në zonën SEPA dhe quhet me akronimin TIPS. Italia na mundëson që një klon të TIPS ta implementojmë në tregun tonë. Ne të krijojmë një bankë ku të marrin pjesë Shqipëria dhe vendet e Ballkanit, sidomos në ndihmë të biznesit. Kjo na ndihmon kur të jemi pjesë e BE”.