Zyra e Regjistrit të Kredive gjatë vitit 2022 ka trajtuar 1775 kërkesa për raporte kredimarrësi nga subjektet juridike dhe individët, si dhe 136 ankesa dhe kërkesa për informacion. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, numri i kërkimeve të realizuara nga raportuesit e të dhënave regjistron rritje edhe për vitin 2022, me rreth 4 % më tepër se në vitin 2021. Sipas BSH-së, gjatë vitit 2022 është përfshirë edhe një subjekt i ri, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, si raportues në Regjistrin e Kredive. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur edhe bashkimi me përthithje i dy bankave, duke e reduktuar numrin e bankave nga 12 në 11. Në fund të vitit 2022, në Regjistrin e Kredive raportuan të dhënat e kredimarrësve të tyre 46 institucione financiare. Për herë të parë që nga viti 2008, periudhë në të cilën ka filluar funksionimi i Regjistrit të Kredive në BSH, në linjë me nismat e ndërmarra për shtimin dhe promovimin e shërbimeve elektronike, sistemi i ri i Regjistrit të Kredive prezanton Platformën Online. Kjo platformë u vjen në ndihmë qytetarëve për të pasur akses të drejtpërdrejtë në të dhënat e tyre, duke përftuar shërbime të tilla si: aksesi në raportin e tyre të kredimarrësit; njohja me të dhënat e raportuara për ekspozimin kreditor të tyre në sistemin bankar e financiar; reklamimin e pretendimeve lidhur më saktësinë ose plotësinë e të dhënave të raportuara drejtpërdrejtë tek raportuesi përgjegjës i të dhënave; si dhe njohjen në çdo kohë të statusit të trajtimit të ankesave të ngritura prej tyre. atsh
BSH: 1775 kërkesa për pajisje me raportin e kredimarrësit
RELATED ARTICLES