Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja ka rigjetur formën e tij më të mirë, teksa në miqësoren ndaj Lihtenshtajnit shënoi një gol dhe luajti për më shumë se 60 minuta.
Pas ndeshjes, në një intervistë sulmuesi u shpreh se është gati për të ndihmuar skuadrën në Europian.
“Kur vij këtu kam një emocion tjetër dhe kur bashkohem me çunat jap maksimumin. Kur luajmë lirshëm dhe kënaqemi në fushë, bëjmë një futboll të bukur”, tha Broja.
I pyetur nëse është gati për Europianin, Broja tha se, “trajneri është ai që vendos, por unë jam gjithmonë gati të jap maksimumin kur të jem në fushë. Jam këtu për të bërë punën time, të ndihmoj ekipin me gola dhe asiste. Jam këtu për të bërë diferencën dhe shpresoj që të ndihmoj sa më shumë skuadrën kombëtare”.
“Fizikisht jam shumë shumë mirë, pasi kam punuar shumë jo vetëm te skuadra, por edhe individualisht. Mund të them se jam kthyer në formën më të mirë, ndoshta njësoj si para dëmtimit. Sot mora rreth një orë dhe mund të rezistoja edhe më shumë, megjithatë trajneri donte të provonte edhe lojtarë të tjerë”, shtoi më tej sulmesi kuqezi.
Për lojtarët e tjerë dhe atmosferën e krijuar në skuadër, Broja tha se, “unë kam munguar shumë kohë për shkak dëmtimi, por të gjithë më mirëpritën kur u riktheva. Kam qenë me ta edhe më parë dhe shkoj mirë me të gjithë. Rrimë bashkë edhe jashtë stërvitjes, pasi kemi ambient shumë të mirë. Edhe trajneri na ka bashkuar shumë si ekip. Edhe tifozeria më ka dhënë shumë kënaqësi dhe entuziazëm, ndaj i falënderoj të gjithë që besojnë te unë”.
Për kundërshtarët e Shqipërisë në Europian, Broja tha se, “ne kemi luajtur me ekipe shumë të forta dhe bukuria e futbollit është kur fiton ndaj tyre. Ne po përgatitemi shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur, ndaj shpresoj që të bëjmë shumë mirë ndaj tyre. Në 90 minuta diferencën e bëjnë detajet, ndaj jam i bindur që do të bëjmë mirë”.