Plazhi i Rrjollit, që deri para pak vitesh njihej vetëm nga vendasit, tani po kthehet në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Shkodrës gjatë verës.

Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujërat e kristalta dhe rërën e mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të lakmueshme nga turistët.

Plazhi i Rrjollit ka një shtrirje prej 4 km në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur”, deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve.