Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi se do të rrisë normën bazë të interesit për eurozonën me 0,25 pikë përqindjeje në 4,0%, ndërsa banka qendrore vazhdon të përpiqet të ulë inflacionin e lartë. Rritja e normës, e cila ndikon në normën e interesit me të cilën bankat tregtare mund të marrin hua nga BQE-ja, u njoftua nga BQE të enjten pas takimit të guvernatorëve të bankës qendrore në Frankfurt. Rritja e normës pritej gjerësisht nga investitorët dhe analistët. “Inflacioni ka rënë, por parashikohet të mbetet shumë i lartë për një kohë të gjatë”, tha BQE-ja në një deklaratë për shtyp. Kjo është rritja e tetë radhazi e normave të interesit nga BQE-ja, e cila ka rritur normat në një mënyrë të paprecedentë që nga korriku 2022, për të luftuar inflacionin e lartë të vazhdueshëm. Ritmi i rritjes së normave është ngadalësuar gjatë muajve të fundit. Pas një serie rritjesh prej 0,50 pikë përqindjeje, në maj BQE rriti edhe normën bazë të interesit me 0,25 pikë përqindjeje. Norma është më e larta për BQE-në që nga tetori 2008 në fillim të krizës financiare globale, kur norma kryesore e BQE-së ishte 4,25%. Vendimi i BQE-së për të rritur normat vjen një ditë pasi Rezerva Federale e SHBA-së (Banka Qendrore e SHBA-së) vendosi të mos ndryshonte normën bazë të interesit pas 10 rritjeve të njëpasnjëshme nga banka qendrore amerikane. atsh
BQE rrit sërish normat e interesit në eurozonë
RELATED ARTICLES