I vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, Karaburun-Sazan në qarkun e Vlorës, ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bota nënujore e këtij parku. “Disa pamje krejt të veçanta nga bota nënujore e parkut kombëtar detar Karaburun-Sazan ku dallohet prezenca e specieve tipike ujore si yjet e detit, livadhet e Posedonia, sfungjerët, peshqit e shumë të tjera”, shkruan Kumbaro. Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës. Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë. Me një shtrirje detare rreth 1,9 km gjatë viteve të fundit ky park është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.