“Bota jonë” shfaqet krahas filmave të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik në Festivalin e Venecias. “Bota jonë” filmi i regjisores 22 vjeçare, Luana Bajrami, u shfaq mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe po garon në kategorinë “Orizzonti Extra”. Filmin e ndoqën kryeministri Kurti, bashkë me regjisoren Bajrami, producentët Valbone Rahmani dhe Eric Toledano, aktorët e roleve kryesore, Elsa Mala, Albina Krasniqi, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani, Uratë Shabani dhe Tristan Halilaj. I gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, Presidenti i Bienales së Venecias gjatë koktejit të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Itali. “Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan në Festivalin e Filmit në Kanë 2022. Para tij, në Venecia janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj. “Gjithmonë krenarë me përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Suksese në garë”, shkroi në rrjetet sociale ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku.
“Bota jonë”, filmi kosovar në Festivalin e Filmit në Venecia
RELATED ARTICLES