Sunday, October 20, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBorxhi publik zbret nën 60 %

Borxhi publik zbret nën 60 %

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur sot se Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit ka qenë më e moderuar sa i përket rritjes së inflacionit. Gjatë një interviste në medie, Mete tha se vendimi për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike ka ndikuar në nivele të maturuara, duke e ruajtur shkallën e inflacionit. “Ne kemi qëndruar më të moderuar sa i përket inflacionit në pikun e vet dhe jemi ulur relativisht shpejt, duke arritur në tetor në 3.8%. Targeti i synuar nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm është 3%, pra po i afrohemi targetit. Kjo pasi kemi arritur të mbajmë çmimim e energjisë të pandryshuar. Një nga komponentët që ka shërbyer në inflacion ka qenë çmimi i energjisë. Kemi kaluar periudha jo shumë të lehta. Jetojmë në një botë të prirur ndaj goditjeve. Fakti që ne cilësohemi si një nga ekonomitë rezistente, që i kemi përballuar tri goditje të njëpasnjëshme dhe përsëri jemi kthyer thuajse në target të inflacionit dhe me një rritje që do jetë 4%, e projektuar në afatmesëm, tregon se jemi në një moment pozitiv”, tha ai. Mete u ndal dhe te investimet e huaja direkte. Ai informoi se vitin e kaluar ky nivel investimesh ka arritur në vlerën e 1,37 miliardë eurove, ndërsa theksoi se ky trend për këtë vit do shkojë në nivel rritës. Mete ndër të tjera renditi dhe disa sektorë që janë motorrë të ekonomisë dhe që sipas tij po çojnë vendin drejt një modeli të ri ekonomik. “Investimet e huaja direkte vjet kanë kapur një rekord, prej 1.37 miliardë euro dhe pritshmëria është që këtë vit do jetë mbi atë nivel. Remitancat që do vazhdojnë të ngelen si burim të hyrash në ekonomi, për shkak të faktit se ne jemi vend me një Diasporë domethënëse. Ne raport me popullsinë, jemi një ndër vendet me numër më të lartë në botë. Kemi rritje domethënëse të turizmit dhe kjo është e prekshme. Krahasimisht me rajonin, pesha e turizmit në PBB ka pësuar rritje domethënëse që do të thotë disa sektorë, që po ravizohen si shtysa kryesore e rritjes, kombinuar kjo me sektorë si energjia, bujqësia, shërbimet që lidhen me turizmi, digjitalizimin dhe të gjitha këto, në ndërveprimin dhe në integrimin në BE. Në vija të përgjithshme ky është modeli drejt të cilit ne po ecim. Po ecim drejt tregut të BE, drejt standardeve të BE, me disa sektorë, që janë motorë kryesorë të ekonomisë”, tha ai. Ai deklaroi se financat publike të Shqipërisë janë të qëndrueshme. “Borxhi publik do të shkojë nën 60%, pas 11 vitesh. Ne konsiderohemi një vend me financa publike të qëndrueshme. Për çdo lekë borxh që në shtojmë në stokun e borxhit e investojmë ndjeshëm më shumë. Edhe pse po ulim borxhin, ne kemi rritje të ndjeshme të investimeve publike dhe kjo tregon shëndetshmërinë e buxheti. Ka një kufi, që është 5% i GDP, që të shkojë në investimet publike, në shpenzime kapitale dhe ne e ruajmë atë në 5.3% dhe njëkohësisht po ulim borxhin”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments