Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBorxhi 71.3 % të PBB-së, në fund të 2022-shit

Borxhi 71.3 % të PBB-së, në fund të 2022-shit

Borxhi publik pritet të ulet në 71.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 73.2% e PBB-së që rezultoi për vitin 2021. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh gjatë prezantimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2022 javën e shkuar, në Komisioni Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se, ky tregues do të jetë i ndikuar nga variabla të tjera makroekonomikë deri në fund të vitit, si p.sh. vlera nominale e PBB, kursi i këmbimit i fundvitit, që sipas saj, ka gjasa ta reduktojë edhe më tutje borxhin publik në fund të vitit 2022. Gjatë periudhës nga viti 2017 deri në vitin 2019, borxhi i qeverisjes qendrore ka qenë në një trajektore rënëse, duke shënuar një rënie me 4.4 p.p., nga 70.1% e PBB në fund të vitit 2017, në 65.7% e PBB në fund të vitit 2019. Por gjatë vitit 2020 dhe 2021, borxhi shënoi rritje, duke kapur nivelin prej 73.1% e PBB në fund të vitit 2021. Ministria e Financave dhe Ekonomisë analizon se rritja e nivelit të borxhit gjatë dy viteve të fundit ka ardhur si rezultat i nevojave më të larta për financim në këto vite, si pasojë e situatës së krijuar pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19, si dhe nevojës për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë, pas rënies së madhe që pati në vitin 2020. Në strategjinë e menaxhimit të borxhit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon që në periudhën 2022-2024, deficiti buxhetor të jetë rreth 3% në vit. Si rrjedhojë, duke filluar nga ky vit (2022) borxhi publik ndaj PBB-së pritet të kthehet në një trajektore rënëse, në përputhje me rregullin fiskal përkatës, ku pritet të bjerë në rreth 71.3 % të PBB-së nga rreth 73.2% në vitin 2021. Deri në fund të vitit 2023, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 70.2% të PBB-së dhe rreth 68.6% në vitin 2024. Balanca primare do të kthehet në nivel pozitiv (suficit primar) nga viti 2023 e në vazhdim. Ky objektiv është tashmë ligjërisht i detyrueshëm, ku Ligji Organik i Buxhetit (LOB) parashikon që duke filluar nga viti buxhetor 2024 dhe për çdo vit pasardhës balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë së paku e balancuar ose pozitive. Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 66.7% në vitin 2025 dhe më tej në rreth 58.9% deri në vitin 2028. Nga ana tjetër edhe agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kredibilitetit kanë vlerësuar se borxhi publik ndaj PBB-së do të vazhdojë trajektoren rënëse në 2022 dhe 2023. Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moody’s vlerëson se borxhi i qeverisë së përgjithshme (duke përfshirë garancitë) arriti kulmin në 74.5% të PBB në 2020, dhe u ul sërish në 73.2% të PBB në 2021. Agjencia parashikon që borxhi publik ndaj PBB të vazhdojë trajektoren rënëse në 2022 dhe 2023 duke rënë respektivisht në 72.1% dhe 71.9%. Agjencia parashikon një raport të shpenzimeve mesatare për interesa ndaj të ardhurave totale të buxhetit prej rreth 8 % në 2022-2023, që është mbi nivelin para-pandemisë 2019 (7.6%), por gjithsesi nën mesataren e dekadës së kaluar (9.4%).http://ata.gov.al/2022/09/12/borxhi-publik-pritet-te-bjere-ne-71-3-te-pbb-se-ne-fund-te-2022-shit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments