Meteoroligia Lajda Porja ka bërë parashikimin e motit përgjatë kësaj jave. Kjo javë do të jetë në ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike me mot të kthjellët edhe pse do të shoqërohet me vranësira të lehta. “Kjo javë do të jetë në ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare sidomos kthjellimet do të jenë më të theksuara përgjatë ultërsirës perëndimore. Vranësira më të shpeshta në zonat malore, por nuk parashikohen reshje deri në mbrëmjen e ditës së enjte ku do të ketë zhvillim të vranësirave duke sjellë reshje në zonat veriore dhe në disa zona në qendër të vendit”, u shpreh Porja. Gjithashtu nënvizoi se gjatë ditës së premte në territorin shqiptar do të ketë reshje shiu, ndërsa në zonat malore dhe përgjatë shtrirjes lindore do të kemi reshje dëbore.“Dita e premte do të risjellë reshje në të gjithë territorin shqiptar dhe reshje dëbore në të gjithën zonën malore përgjatë shtrirjes lindore. Sa i përket vlerave termike, minimalet shënojnë -3 gradë në Peshkopi dhe maksimalja në Sarandë deri në 14 gradë celsius. Të paktën deri ditën e enjte do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave duke kulmuar në 19 apo 20 gradë maksimalja. Dita e premte do të sjellë rënie të temperaturave për shkak të reshjeve. Sa i përket rajonit do të ketë temperatura të ulëta, Kosova -2 dhe -3 dhe maksimalja deri në 14 gradë celsius. Kosova deri ditën e mërkurë do ketë mot me diell dhe dita e enjte dhe e premte do të sjellë reshje dëbore. Maqedonia e Veriut do të përfshihet nga reshje shiu”, ka thënë ajo.