Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, iu është përgjigjur sot akuzave të ngritura në ditët e fundit, për çmimin e naftës së tregtuar në vend, si dhe rolin e Bordit të Transparencës. Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Balluku theksoi se Bordi i Transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës. “Bordi është aty për të kontrolluar dhe bërë transparencë publike. Ne si Bord as nuk i ulim as nuk i rrisim çmimet e karburanteve. Kam dëgjuar së fundmi nga media dhe politikanët se çmimi i naftës ka rënë në bursa, ndërsa në Shqipëri ngrihet. Kjo nuk qëndron. Çmimi që i referohen ka të bëjë me produktin e papërpunuar. Ndërkohë, çmimi të cilit ne i referohemi në Bordin e Transparencës i referohet bursës Platts. Ndaj është e lehtë dhe transparente për të parë se si janë çmimet sot në bursë“, tha Balluku. Sa i përket krahasimit me rajonin, Balluku deklaroi se diferenca ka të bëjë me taksat e karbonit apo qarkullimit, të cilat qytetarët në vendet e tjera të rajonit i paguajnë veçmas dhe nuk i kanë të përfshira në çmimin e karburantit siç janë të përfshira në vendin tonë. “Kjo është diferenca. Nëse e zhvishni çmimin e karburantit nga këto taksa do të shikoni se çmimi do të shkonte në të njëjtat nivele”, deklaroi zv.kryeministrja Balluku.
Bordi i Transparencës i referohet bursës Platts
RELATED ARTICLES