Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBonusi : Mund të tërhiqet deri më 31 dhjetor 2024

Bonusi : Mund të tërhiqet deri më 31 dhjetor 2024

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado bëri të ditur se nga dita e sotme pensionistët mund të paraqiten pranë Postës Shqiptare për të tërhequr bonusin e fundvitit. Në një deklaratë për mediet, Hado u shpreh se nuk është e nevojshme që të krijohen radhë, teksa shtoi se bashkë me bonusin, pensionistët do të tërheqin edhe këstin mujor të pensionit. “Të gjithë ata që nuk munden për arsye të ndryshme, mund ta tërheqin këtë bonus edhe vitin e ardhshëm. Nuk ka nevojë që të presin në radhë. Bonuset po i shpërndajmë me këstin mujor të pensioneve. Dua të garantoj se është një buxhet që është miratuar që buxhetin e kaluar. Fondet janë në dispozicion. Mund ta tërheqin kur të kenë nevojë”, theksoi ai. Hado informoi se të gjithë llogaritë e Postës Shqiptare janë mbushur me para dhe se janë bërë rreth 23 mijë pagesa deri tani. Hado foli dhe për rishikimin e skemës së pensioneve, ku bëri të ditur se po bëhet një studim me Bankën Botërore. “Me Bankën Botërore po bëjmë një studim të ecurisë së sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri, që nga 2014 kur u ndërmor reforma e deri më tani. Po shikohet se si po performon kjo skemë bazuar në reformën e vitit 2014, si do të mund të performojë kjo skemë në vijim dhe çfarë nevojash ka për ta rregulluar këtë skemë për sa i përket qëndrueshmërisë financiare, për të parë sa adekuate, sa pensione të mjaftueshme jep dhe çfarë shkalle zëvendësimi ka kjo skemë. Pasi të dalin këto rezultate, sepse është një punë voluminoze, pasi bëhet fjalë për mijëra tabela dhe llogaritje dhe projeksione. Sapo të dalin këto rezultate, do shikohet mundësia se ku është e nevojshme të ndërhyhet dhe në çfarë thellësie në sistemin e pensioneve. Mund të dalë që ndoshta nuk ka nevojë për ndryshime. Pa pasur një panoramë të qartë nuk mund të them se do të reformohet një segment apo i gjithë sistemi i pensionit në Shqipëri”, tha ai. Në total, përfitues të bonusit janë rreth 704 mijë qytetarë. Konkretisht, janë 585 mijë qytetarë që marrin pension pleqërie, 2500 qytetarë që marrin pension social, 2172 ish-minatorë, 6053 persona që marrin pension të parakohshëm, si dhe naftëtarët, metalurgët, ish-minatorët dhe invalidët e luftës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments