Saturday, October 19, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBonusi i bebes do të jepet vetëm për familjet që jetojnë në...

Bonusi i bebes do të jepet vetëm për familjet që jetojnë në Shqipëri

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi sot nen për nen ndryshimet në ligjin “Për asistencën sociale”, ku në fokus ishte bonusi i bebeve. Sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ky bonus nuk do të jepet më për familjet që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Bazuar në analizën e kryer për përfitueshmërinë e programit dhe të politikës për mbështetjen e familjeve me fëmijë të porsalindur, si dhe vlerësimet e kryera, Ministria konstatoi se prindërit e fëmijëve të lindur jashtë Republikës së Shqipërisë përfitojnë pagesa të ngjashme për lindjen e fëmijëve edhe sipas legjislacionit në vendet ku ata jetojnë e punojnë, duke përfituar kështu pagesa (shpërblime) të dyfishta. Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për prindin/prindërit me foshnja të porsalindura është, si më poshtë vijon: në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; në masën 80 000 lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim; për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilën foshnjë; për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë 120 000 lekë për secilën foshnjë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments