Bjellorusia ka zhvendosur njësi shtesë ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën, duke përfshirë raketahedhës të shumtë me një rreze veprimi prej 200 kilometrash, tha sot një zëdhënës i rojes kufitare të vendit për agjencinë e lajmeve BelTA. Veprimi u justifikua me arsyetimin e përgatitjeve të supozuara nga Ukraina për të kryer spiunazh dhe sabotim. “Rojet kufitare kanë rrëzuar një helikopter pa pilot “quadrocopter” në rajonin Mazyr afër kufirit që fluturonte nga Ukraina”, tha zëdhënësi, duke akuzuar Ukrainën për kryerjen e fluturimeve të rregullta të zbulimit me dronë përgjatë kufirit. Një raport nga Minsk tha se një depo armësh ishte gjetur në rajonin kufitar. “Ka patur informacione se trupat ruse që luftonin për Ukrainën ishin aktive atje”, tha zëdhënësi. Lideri bjellorus Alexander Lukashenko është i varur nga Rusia, ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, dhe Bjellorusia ka qenë mbështetësja më e fortë e Rusisë në luftën e saj në Ukrainë. Ndërsa trupat bjelloruse nuk janë përfshirë drejtpërdrejt, territori i vendit është përdorur nga forcat ruse për të sulmuar Ukrainën.