Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka qëndruar deklarates së tij ku ai e krahason udhëheqësin e partisë kineze, Xi Jinping me një diktator. I pyetur nëse deklarata e tij, e cila u kritikua nga Pekini, rrezikon të minojë afrimin e fundit midis Kinës dhe SHBA-së, Biden tha në Uashingtoni se përgjigjja e pyetjes ishte “jo”. “Ideja e zgjedhjes sime dhe shmangies së të thënit të asaj që mendoj… nuk është diçka që do te bente shumë ndryshim”, u tha Biden gazetarëve. Presidenti amerikan, Biden theksoi gjithashtu se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pati një vizitë të mrekullueshme në Kinë, në fillim të javës. “Unë pres të takohem me presidentin Xi dikur në të ardhmen, në një afat të afërt. Dhe nuk mendoj se kjo ka pasur ndonjë pasojë reale”, tha Biden. Në një ngjarje për mbledhjen e fondeve në Kaliforni të martën, Biden tha se Xi ishte i mërzitur pasi ai nuk ishte në dijeni të një balone spiunazhi që fluturoi mbi SHBA, në shkurt dhe u rrëzua me urdhër të tij. “Ky është një siklet i madh për diktatorët, kur ata nuk e dinë se çfarë ndodh”, tha Biden, duke shtuar se Xi tha se nuk kishte dijeni për balonën e spiunazhit, dhe pasi Forcat Ajrore të SHBA-së e rrëzuan atë, ai u ndje ngushtë sepse e kishte mohuar edhe që ajo kishte kaluar mbi territorin amerikan. Afera mbi balonën e dyshuar të spiunazhit çoi në një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Pekini u zemërua nga deklarata e Biden, duke i quajtur ato jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe një provokim politik. Acarimet e reja pasuan menjëherë vizitën e Blinken në Pekin të dielën dhe të hënën, gjatë së cilës të dyja palët kishin shprehur synimin e tyre për të stabilizuar marrëdhëniet e trazuara. atsh