Biden falënderoi aleatët evropianë për punën e bërë deri më tani dhe mbështetjen e tyre për Ukrainën. Nga ana e tij, Macron vlerësoi Biden si një “partner besnik që respekton evropianët”. “Nga Ukraina në Lindjen e Mesme, duke kaluar nëpër atë që duam të rinisim në nivel ekonomik, faleminderit që jeni prezent në të gjitha këto çështje”, tha Macron duke iu drejtuar presidentit amerikan, Biden. Presidenti francez Emmanuel Macron priti presidentin e SHBA-së, Joe Biden me nderime ushtarake në një ceremoni në “Arc de Triomphe”, një nga monumentet më të famshëm në Paris. Një kor ushtarak dhe një bandë e siguruar nga Xhandarmëria Kombëtare luanin ndërsa avionët fluturonin sipër. Dy liderët vendosën një kurorë lulesh dhe mbajtën një minutë heshtje në “Varrin e Ushtarit të Panjohur” që ndodhet nën monumentin kombëtar në qendër të kryeqytetit francez. Më pas, ata do të shkojnë në Pallatin Élysée, të shoqëruar nga kalorësia franceze, për bisedime dypalëshe. Në mbrëmje është planifikuar një banket shtetëror.