“Biblioteka Shëtitëse”, është nisma e ndërmarrë nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Fato Berberi” në kuadër të tetorit të letërsisë në Gjirokastër.
Libra nga fondi i bibliotekës për fëmijë “Tasim Gjokutaj” duke nisur nga dita e sotme kanë filluar të shpërndahen në shkolla të ndryshme të fshatrave duke iu dhënë mundësinë fëmijëve të përzgjedhin mes titujve të rinj.
Ishin nxënësit e shkollës së fshatit Asim Zeneli që përfituan të parët duke u çelur edhe kartelat e para të “Bibliotekës Shëtitëse”.
“Mua me pëlqejnë libra, unë kam lexuar shumë libra dhe sot po na duket shumë e bukur që kanë sjellë libra nga biblioteka e fëmijëve”, tha një nxënës.
“Unë kam zgjedhur librin “Iliada” me pëlqen shumë që e zgjodha më duket shumë interesant dhe më pëlqen shumë biblioteka duke sjellë libra tek ne që të arsimohemi dhe të argëtohemi”, thotë një nxënës tjetër.
”Kjo nismë është e fokusuar më tepër në fshatrat e Gjirokastrës të cilët e kanë më të vështirë të bëhen pjesë e bibliotekës tonë dhe me këtë rast menduam që herë pas here të organizojmë “Bibliotekën Shëtitëse”, tha Arlisa Gushi, instruktore ne QKF.
Aktiviteti i radhës nga Qendra Kulturore “Fato Berberi” do të jetë “Miku i vogël i librit”.