“Komisia Letrare” u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës dhe ishte një hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës shqipe.

I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, biblioteka e “Komisisë letrare” drejtohej nga shkrimtari dhe publicisti Hilë Mosi, i cili luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të bibliotekave. Hilë Mosi ishte i pari që futi konceptin e kopjes së detyruar.

Të tjerë intelektualë që u bënë bashkë në këtë komisi ishin: At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Aleksandër Xhuvani etj.

Si fonde të kësaj biblioteke shërbyen librat që zotëronin shtypshkronja të atyre viteve si, “Nikaj” dhe “Zoja e Papërlyeme”, me rreth 3000 vëllime.

Pas shpërndarjes së “Komisisë Letrare” në vitin 1918, fondi i saj kaloi në kujdestarinë e shoqërisë “Vllaznia” dhe më pas u transferua në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit, e cila më 10 korrik 1920 themeloi Bibliotekën Kombëtare nën drejtimin e prof. Mati Logorecit. E njohur fillimisht si Biblioteka e Shtetit, dy vite më vonë u emërtua Biblioteka Kombëtare.