Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“Bezzia”: 8 vendet më të rëndësishme në Shqipëri për të mos humbur!

“Bezzia”: 8 vendet më të rëndësishme në Shqipëri për të mos humbur!

Rreth një muaj më parë, ju rekomanduam plazhet e Shqipërisë, si ndër destinacionet më të mira për pushimet tuaja verore. Sot udhëtojmë sërish drejt Shqipërisë, por do të fokusohemi tek një lloj tjetër turizmi. Dhe Shqipëria është një vend me një gamë të gjerë opsionesh!, sipas një artikulli të gazetares Maria Vazquez të botuar në të përditshmen spanjolle “Bezzia”. A ju pëlqejnë malet? Qytetet piktoreske? Ju tërheqin parqet arkeologjike? Shtatori është një muaj i mirë për të udhëtuar në Shqipëri dhe për të shijuar temperaturat që janë ende të ngrohta, por jo shumë të nxehta, pavarësisht nga planet tuaja. Ne ju sugjerojmë tetë vendet më të rëndësishme në Shqipëri për të mos humbur por… shijuar!

Berati

I njohur si qyteti i një mijë dritareve, Berati ka shumë histori. I vendosur buzë lumit Osum, ai përbëhet nga kaskada shtëpish osmane me mure të bardha dhe një kështjellë e madhe, e banuar ende, me një kishë në krye. E shpallur një vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, qendra e saj historike tërheq shumë vizitorë, të cilët nuk ngurrojnë të humbasin në rrugët e ndërlikuara të tre lagjeve të saj,  lagjes së krishterë të Goricës, lagjes myslimane të Mangalemit dhe lagjes Kalaja.

Syri blu

Një shatërvan karstik është përgjegjës për gjenerimin e burimit të pazakontë blu, që tërheq vizitorët në këtë vend gjatë gjithë vitit, dhe e bën të vështirë shijimin e tij larg turmave. Të ngrihesh herët dhe të zgjedhësh datat pas kulmit të sezonit në vend, është e vetmja mënyrë për të shijuar këtë burim fantastik uji të akullt, të rrethuar nga pyje të dendura të lagështa, që ndodhen vetëm 25 km nga Saranda, pranë qytetit tradicional të gurtë të Musinës.

Butrinti

Aty pranë në jug të Shqipërisë, pothuajse në kufi me Greqinë, ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, një zonë natyrore spektakolare me zona arkeologjike. I shpallur një vend i trashëgimisë botërore, ai strehon dëshmi të grekëve, bizantinëve dhe venecianëve nëpër zonë. Dhe po aq i rëndësishëm sa këto mbetje arkeologjike, është habitati që e strehon 2500 hektarë laguna.

Gjirokastra

E vendosur në një luginë të gjerë dhe e rrethuar nga fshatra piktoreskë, Gjirokastra ngrihet madhështore rrëzë maleve të Malit të Gjerë. Qyteti i vjetër, i shpallur një vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në 2005, karakterizohet nga rrugët me kalldrëm dhe arkitektura tradicionale osmane, e cila  fsheh tempuj të shumtë dhe shtëpi-kështjella mahnitëse.

Korça

Korça është një nga qytetet më të rëndësishme të vendit. E rrethuar nga peizazhe të bukura që ndryshojnë me kalimin e stinëve, ajo është plot jetë sidomos nëse hyn në rrjetin e rrugëve, bareve dhe restoranteve të Pazarit të saj të vjetër. Në qytet nuk mungojnë muzetë dhe tempujt për t’u vizituar. Përveç kësaj, në qytet festohen festa të rëndësishme si Festa e Birrës, në gusht ose Karnavalet gjatë Pashkëve Ortodokse.

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit shtrihet brenda kufijve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është një mjedis i pashembullt që ndërthur ujërat e kristalta dhe malet e larta. Është një nga atraksionet më të mëdha turistike në vend, edhe nga vetë shqiptarët që shkojnë në Pogradeces dhe qytete të tjera, që ndodhen në bregun e tij, për të kërkuar strehim gjatë verës. Pra, pavarësisht nga qetësia e dukshme e vendit, qytetet e tij kanë një jetë të gjallë, edhe gjatë natës!

Bjeshkët e Nemuna

Bjeshkët e Nemuna ofrojnë një nga peizazhet më mbresëlënëse në Shqipëri. Thethi, një fshat i fshehur mes Alpeve Shqiptare, shërben si një pikënisje për të vizituar këtë vend ku nuk mungojnë rrugët dhe aktivitetet.

Shkodra

Qyteti kulturor i Shqipërisë dhe qyteti më europian i vendit, ku ndërthuret moderniteti dhe historia. E vendosur në veri të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi në veri, Shkodra është vendlindja e artistëve, muzikantëve, piktorëve, fotografëve, poetëve dhe shkrimtarëve.  Liqeni i Shkodrës është gjithashtu një vend ku mund të bëni një xhiro me biçikletë, të peshkoni apo të provoni disa nga kuzhinat më të mira shqiptare.  

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments