Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEBesimtarët katolikë festojnë sot Pashkët

Besimtarët katolikë festojnë sot Pashkët

Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë. Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhen Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime”, dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim. Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së Pashkëve. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes. Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. Për festën e Pashkës, besimtaret shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e me pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar. Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës. Në tryezën e kremtimit të Pashkëve nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë dhe shoqëruar me hudhra të njoma.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments