Projekti ka një rëndësi të madhe strategjike dhe është pjesë e rrjetit kryesor të shtrirjes treguese të rrjetit Trans-Europian të Transportit (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor.

Rehabilitimi i linjës hekurudhore do të sjellë infrastrukturën në standardet e BE-së dhe do të krijojë kushte për zhvillimin e shërbimeve të pasagjerëve dhe mallrave në Shqipëri.

Kostoja totale e projektit është rreth 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.

Nga këto 98,7 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. 133 milionë euro janë grant investimi nga Bashkimi Europian.

Parashikohet që shpejtësia e trenave që do të lëvizin në segmentin Vorë-Hani i Hotit të jetë 120 km në orë. Të gjitha linjat do të jenë të elektrifikuara dhe do të jenë kantiere të hapura brenda vitit 2025.

Parashikohet ndërtimi i 12 stacioneve hekurudhore, një tuneli me gjatësi 320 metra dhe ndërtimi i 112 urave.

Me rindërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej 2.3 milionë udhëtarësh në vit dhe një volum mallrash 900 mijë tonë në vit. Koha mesatare e udhëtimit Vorë-Hani i Hotit do të jetë vetëm 2 orë.

Investimi do të gjenerojë kursime në kohë, kosto operative, siguri rrugore dhe përfitime mjedisore. Ai do të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të sektorit, duke lejuar përdorimin efektiv të aseteve në mënyrë që të rriten të ardhurat e sektorit si dhe të reduktohen kostot e mirëmbajtjes.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.