Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Europian(BE) po rrisin mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri përmes Programit të BERZH për Konkurrueshmërinë e SME-ve, që ofron mundësi të reja financimi për bizneset në vend. Programi u prezantua sot në Tiranë dhe përfshin hua nga BERZH dhe incentiva në formë grantesh nga BE për bizneset e vogla në partneritet me bankat në vend. SME-të do të mund të aplikojnë për investime në pajisje dhe makineri të reja dhe investime me qëllim rritjen e produktivitetit, uljen e shpenzimeve operacionale, rritjen e eficiencës së energjisë dhe përafrimin me standardet e BE. Krahas huave, bizneset do të përfitojnë nga incentiva në formë granti deri në 15 për qind të huasë, të financuara nga BE. Qëllimi është të ndihmojmë SME-të të shkojnë përtej operacioneve të tyre të zakonshme dhe të investojnë në të qenit më konkurrues në tregjet vendase dhe ato të BE. Ekaterina Solovova, drejtoreshë e BERZH në Shqipëri, tha se “ndihma ndaj sektorit privat, veçanërisht për SME-të në Shqipëri që të bëhen më konkurruese dhe përdorimi më eficient i energjisë është një nga prioritetet tona këtu. Ne jemi të lumtur ta zgjerojmë këtë bashkëpunim me programe të ngjashme dhe të kemi qasje në sa më shumë biznese vendase në bashkëpunim me bankat tregtare”. Hubert Perr, kreu i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri,tha se “kjo është një mundësi shumë e mirë për SME-të në vend që të lënë gjurmën e tyre të veçantë në tregjet rajonale veçanërisht në kuadër situatës ekonomike globale. Ne do të sigurohemi që këto incentiva të përfitohen nga bizneset që dëshmojnë vlerat bazë europiane në kuadër të sigurisë, standardeve të cilësisë dhe mjedisit. BE është këtu për t’ju mbështetur”. SME-të do të përfitojnë gjithashtu nga shërbimet këshillimore përmes programit të BERZH për Këshillimin e Bizneseve të Vogla. Programi lidh bizneset me konsulentë vendas dhe ndërkombëtarë që punojnë për identifikimin e sfidave si strategjia, marketingu, transformimi digjital, eksportet, eficienca e energjisë, menaxhimi financiar etj. SME-të përfaqësojnë 99.8 % të sipërmarrjeve të regjistruara në Shqipëri dhe gjenerojnë 81.9 % të punësimit në vend. Por krahas pozitës dominante në ekonomi ato vuajnë shpesh nga mungesa e konkurrueshmërisë dhe qasja në financime. Programi i BERZH për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë shtrihet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon të lehtësojë qasjen në financime për SME-të në vend. Më shumë se 850 biznese kanë përfituar nga programi rajonal deri tani. Deri më sot BERZH ka investuar mbi 1.9 miliardë euro në Shqipëri.https://ata.gov.al/2022/11/24/berzh-dhe-be-rrisin-konkurrueshmerine-e-bizneseve-te-vogla-shqiptare-mundesi-te-reja-financimi/
BERZH, mundësi të reja financimi bizneseve të vogla shqiptare
RELATED ARTICLES