Projekti përfshin rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment i rëndësishëm i Korridorit VIII Panevropian.
BERZH në një njoftim për shtyp bën të ditur se, ka miratuar një kredi sovrane prej 30 milionë euro për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare, duke plotësuar një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga BEI dhe 60 milionë euro në formë grantesh dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Projekti përfshin: Rindërtimi dhe elektrifikimi i rreth 34 kilometrave hekurudhë; Përmirësimi i infrastrukturës së stacioneve; Rritje e efikasitetit dhe sigurisë në transport dhe Zhvillimin e një lidhjeje të parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut
Ky projekt pritet të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke zhvendosur trafikun nga rruga në hekurudhë, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e karbonit, dhe duke përmirësuar lëvizshmërinë rajonale dhe ndërkufitare.
Petrit Malaj, ministër i Financave, tha se “Ky projekt shënon një moment historik transformues për infrastrukturën tonë. Ai do të luajë një rol jetësor në integrimin afatgjatë të Shqipërisë në rrjetin evropian të transportit.”
Ndërsa Donald Mishaxhiu, drejtues rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se, “Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Së bashku me partnerët tanë, ne po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur transporti që do t’u sjellë dobi brezave të ardhshëm”.
Ky projekt vjen në vazhdën e angazhimit të BERZH-it për Shqipërinë, pas investimeve të mëparshme në linjat Tiranë–Durrës dhe Vorë–Hani i Hotit, dhe është plotësisht në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe objektivat e Tranzicionit të Gjelbër të BERZH-it.