Në kryeqytetin gjerman ka nisur ndërtimi i një qendre të re për terapi gjenetike dhe qelizore, e quajtur “Translation Centre”, që synon të kthejë rezultatet e kërkimit shkencor në shërbime konkrete shëndetësore.

Projekti po zhvillohet nga klinika universitare “Charite” në bashkëpunim me “Bayer AG”, ndërsa së fundmi është bashkuar edhe Instituti i Shëndetit të Berlinit (BIH). Financimi mbështetet kryesisht nga qeveria federale dhe shteti i Berlinit.

Sipas “Charite”, terapitë gjenetike dhe qelizore japin shpresë për pacientët që nuk përfitojnë nga trajtimet tradicionale ose nuk kanë aktualisht një kurë efektive.

Qendra e re do të ofrojë hapësirë për 15 deri në 20 start-upe në faza të ndryshme zhvillimi dhe do të përfshijë një fabrikë prodhimi për zhvillimin e terapive deri në fazën klinike II.

Sipas kryebashkiakut të Berlinit, Kai Wegner, objekti do të jetë gur themeli për një kampus shkencor në zemër të qytetit, ku do të bashkohen kërkimi, bizneset e reja dhe kompanitë e konsoliduara për të ndërtuar të ardhmen e mjekësisë.

Qendra po ndërtohet në kampusin e Bayer-it në Nordhafen të Berlinit dhe pritet të përfshijë një godinë 10-katëshe me sipërfaqe prej rreth 20 000 metrash katrorë.