Zv.kryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Samitin e Ballkanit të Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në një prononcim nga Berlini zv/kryeministrja Balluku u shpreh se, “Samiti i Ballkanit Perëndimor, nën ombrellën e Procesit të Berlinit, ishte një tjetër iniciativë e rëndësishme e zhvilluar gjatë muajit tetor. Në Berlin, të gjithë ministrat e Energjisë të Ballkanit Perëndimor, por edhe ministra të vendeve anëtare të BE, morën pjesë në një tryezë shumë konstruktive ku diskutuam për të gjithë axhendën e tranzicionit që energjia duhet të kalojë deri në vitin 2030, por duke marrë parasysh të gjithë problematikën që është krijuar tashmë me krizën globale për sa i përket energjisë, por jo vetëm, edhe inflacionit”. “Sot u bisedua se ku duhet të shkojë vëmendja. Në tryezë ishin edhe institucionet financiare, ato që mbështesin të gjitha shtetet si BERZH apo Banka Evropiane e Investimeve, KfW. Të gjithë së bashku i kemi kaluar pikat një nga një, çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen nëse duhet të rritet kapaciteti prodhues i vendeve, ku duhet investuar dhe çfarë duhet bërë në nivel rajonal. Çka është shumë e rëndësishme bashkëpunimi mes të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, por sigurisht dhe më shumë bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Balluku. “Është e rëndësishme të thuhet që të gjitha diskutimet sot kanë në fokus këtë bashkëpunim dhe duhet thënë gjithashtu që Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm për sa i përket energjisë dhe sigurisë së energjisë në Ballkan”, theksoi Balluku. “Projekti i terminalit të lundrueshëm të Vlorës për gazin e lëngshëm, ashtu edhe prodhimi i shtuar që do të vijë nga termocentrali i Vlorës, por mbi të gjitha tubi i transmetimit të gazit që do të lidhë këtë port të lundrueshëm me pikën e daljes së TAP, janë pa dyshim një nga projektet më të rëndësishme të integruara që do të ndikojnë të gjithë sigurinë energjetike të rajonit duke e vendosur kështu Shqipërinë në krye të listës për sa i përket investimeve në fushën energjetike në kuadër të kësaj krize”, shtoi Balluku. “Duhet thënë gjithashtu që është vlerësuar edhe nga partnerët, por edhe nga vetë bankat dhe institucionet, fuqia që Shqipëria ka treguar në organizimin e ankandeve transparente të cilat kanë sjellë investime të huaja në vendin tonë në 3-4 vitet e fundit dhe që parashikohet të futen në operime në vitin 2023, 2024 dhe 2025”, u shpreh më tej Balluku. “Më është dashur që të shpjegoj dhe të them në këtë tryezë diçka shumë të rëndësishme për vendin tonë, që të gjitha projektet që ne kemi planifikuar në fushën energjetike, në fund të vitit 2030 do të ofrojnë 4 terravat më shumë prodhim vendas për Shqipërinë duke mbuluar kështu të gjithë nevojën e tregut shqiptar dhe duke e kthyer Shqipërinë nga një vend importues neto të energjisë, në një eksportues neto të energjisë dhe pa dyshim duke i dhënë kështu rajonit mundësi për më shumë siguri energjetike”, përfundoi Balluku. Balluku zhvilloi gjithashtu dhe një takim me Sekretaren Parlamentare të Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik të qeverisë së Gjermanisë, Franziska Brantner dhe përfaqësuesen e KfW, Christiane Laibach.http://ata.gov.al/2022/10/24/balluku-ne-takimin-e-ministrave-te-energjise-per-ballkanin-perendimor/
Berlin: Shqipëria, rol të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Ballkan
RELATED ARTICLES