Berati nuk pati një sezon turistik tipik këtë vit, pasi nuk kishte një datë fillimi e me sa duket nuk ka as një datë mbarimi.
Edhe në këto ditë tetori, turistët janë të shumtë në Berat, ndërsa vjeshta i ka dhënë ndriçim tjetër qytetit mbi 2400-vjeçar.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të shtatorit numri i turistëve ka arritur në 800 mijë ndërsa deri në fund të vitit, pritet të shkojë 1 milion”.
Sipas saj, turistët që vizitojnë Beratin janë nga anekënd botës, por spikasin ata nga Spanja, Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Lituania.
Sa i takon tipologjisë së turistëve, 60 % vijnë të organizuar në grupe, 85 % janë çifte dhe 20 % janë familje që zgjedhin Beratin për eksplorim.
Një nga risitë e këtij sezoni turistik në Berat është shtimi, përmirësimi, por edhe shtrirja më e gjerë edhe në periferi, e strukturave akomoduese të turistëve.
“Berati numëron plot 344 të tilla (hotele, guest house, Airb&b). Netët e qëndrimit të turistëve janë gjithashtu në rritje dhe me fokusin tek turizmi i aventurës, turistët do të kenë më shumë arsye për të qëndruar në qytet më gjatë”, theksoi Merdani.
Për Merdanin, një tjetër risi është frekuentimi i Beratit nga blogerë të njohur, njerëz të artit, kulturës, sportit etj.
Kalendari i ngjeshur i aktiviteteve, krahas pjesës historike dhe moderne të qytetit, e ka shndërruar Beratin në një destinacion ‘must’.
“Bashkia e Beratit ka qenë vazhdimisht e angazhuar në krijimin dhe rehabilitimin e rrugëve që lehtësojnë aksesin drejt atraksioneve turistike, siç është rruga për në Qafë Dardhë. Krijimi i atraksioneve të reja turistike si Parku i Liqenit të Mbreshtanit, krijimi i hapësirave të reja publike dhe sportive, si parku “Dua të Luaj” etj.”, tha Merdani.
Merdani u shpreh se, “si një qytet që pret qindra turistë, nevoja për hapësira të reja parkimi, përmirësim të ndriçimit, sigurimit të rendit dhe bashkëpunimit të ngushtë të Policisë Bashkiake me atë të Shtetit, janë të rëndësishme dhe kanë qenë në fokus të vazhdueshëm të punës së bashkisë”.
Për historinë, kulturën dhe arkitekturën e tij të rrallë, Berati është pjesë e trashëgimisë botërore dhe mbrohet nga UNESCO.