Rritja e turizmit, 1 milion vizitorë për vitin 2024, solli në Berat nevojën për të ndërhyrë në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Zyrtarisht sot, Berati ka vënë në zbatim projektin e ndarjes së mbetjeve në burim, ku ka nisur ndarja e konteinerëve në lagjet e qytetit, në institucione, biznese dhe familje.
Grupet e punës po ndjekin paralelisht edhe strategjinë e komunikimit për të rritur ndërgjegjësimin publik, në shkolla, biznese dhe derë më derë për të ndarë informacion dhe për të trajnuar qytetarët e Beratit mbi procesin e ndarjes së mbetjeve në kategori, në njërën anë metale, plastikë, qelq dhe në anën tjetër letër – karton.
Ndërkaq janë gati edhe pajisjet që do të bëjnë të mundur diferencimin dhe më pas riciklimin sipas standardeve më të larta evropiane.
Kryebashkiaku Ervin Demo priti sot ambasadorin suedez Niklas Ström dhe partnerët që kanë mbështetur këtë projekt për të bërë prezantimin zyrtar të iniciativës.
Demo tha se “ky projekt kërkon angazhim edhe nga qytetarët, bizneset dhe institucioneve për të pasur sukses maksimal”.