Qyteti i një mbi një dritareve zgjon kureshtjen e turistëve në çdo stinë të vitit, ku rrugicat e kalldrëmta të kalasë dhe lagjet historike të tij gjallërojnë edhe në këtë ditë të parë nëntori.
Turistët, veçanërisht ata të huaj, nuk largohen pa u ndalur në qytetin historik të Beratit, që është kthyer në një ndër qytetet më të vizituar në vend.
Për këtë sezon turistik vendet më të vizituara kanë qenë: Kalaja, Mangalemi dhe Gorica. Pa lënë pa përmendur këtu dhe thesaret që këto lagje mbajnë: muze, kisha dhe xhami.
Drejtori i Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Marius Çepele tha sot për ATSH-në se “nga fillimi i janarit deri në fund të tetorit Berati u vizitua nga 750 mijë turistë vendas e të huaj. Ndërkohë që vetëm në muajt shtator-tetor numri i turistëve që kanë vizituar qytetin e një mbi një dritareve është 280 mijë”.
Sipas tij, në periudhën janar-tetor 2025, 85% e vizitorëve ishin të huaj dhe 15% vendas.
Një interes të veçantë turistët shfaqin edhe për muzeumet e qytetit, ku njihen me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Beratit, por jo vetëm.
“Numri i vizitorëve në muzeumet e qytetit ka arritur në 94 204 vizitorë”, tha Çepele.





