Shkodra ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në fushën e turizmit vitet e fundit.
Këtë tregojnë shifrat e një analize për turizmin në Shkodër, ku turizmi dëshmohet se është kthyer në realitet ekonomik dhe social që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau sot disa shifrat deri në muajin gusht që dvshmojnë transformimin.
Në vitin 2022 në bashkinë e Shkodrës u regjistruan rreth 264 mijë net akomodimi, ndërsa në vitin 2025 ky numër pritet të arrijë mbi 538 mijë, me pritshmëri të larta deri në fund të vitit.
Beci u shpreh se vetëm deri në fund të gushtit 2025, numri i netëve të qëndrimit ka tejkaluar shifrën e gjithë vitit 2024 së bashku.
“Qyteti i Shkodrës ka trefishuar numrin e netëve të akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme në sezonet jashtë verës”, vuri në dukje Beci.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarku i Shkodrës është ndër dy qarqet me përqindjen më të lartë të rritjes së bizneseve në turizëm në dy vitet e fundit, duke performuar më mirë se shumica e qarqeve të Shqipërisë.
“Edhe pse një pjesë e këtij realiteti mbetet i padokumentuar plotësisht për shkak të informalitetit ende të pranishëm, nuk ka asnjë dyshim se numri real i vizitorëve është edhe më i lartë. Po kështu, të dhënat mbi vizitat në sitet tona kulturore e muzeale konfirmojnë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme, që e vendos Shkodrën në pararojë të destinacioneve turistike shqiptare”, pohoi Beci.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ky zhvillim nuk është thjesht statistikë.
Zhvillimi i turizmit, sipas tij, përkthehet në të ardhura direkte prej dhjetëra-milionë eurosh vetëm gjatë vitit 2025, të shpërndara në hotele, restorante, transport, kulturë e tregti.
“Më e rëndësishmja, ky aktivitet mbështet qindra vende pune të plota në qytet dhe zonat përreth. Pra, turizmi nuk është më një premtim i largët është sot një sektor real dhe i gjallë, që gjeneron punë e të ardhura për qytetarët e Shkodrës”, theksoi Beci.
Beci u ndal edhe te shpërndarja sipas zonave e rritjes turistike në Shkodër.
Rritja turistike është e shpërndarë në të gjithë territorin, por me tipare të ndryshme sipas zonave ku Velipoja mbetet gjeneratori kryesor i volumit, me një sezon të përqendruar në korrik-gusht, por tashmë me rritje të dukshme edhe në qershor dhe shtator.
Beci tha se Thethi në Alpe ka përjetuar një zgjerim të jashtëzakonshëm, duke shumëfishuar netët e akomodimit falë aksesit më të mirë dhe promovimit ndërkombëtar.
“Qyteti i Shkodrës po kthehet në stabilizuesin e ekonomisë së turizmit: një aktivitet i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, me rritje të fortë në muajt e pranverës dhe të vjeshtës, falë rolit si qendër kulturore, ekonomike dhe portë hyrëse për bregdetin dhe Alpet. Kjo do të thotë se Shkodra tashmë ofron një profil të diversifikuar turistik: det, qytet, liqen, lumenj dhe mal, një kombinim unik në Shqipëri ku destinacione të reja turistike pranë lumit Kir, lumit Buna, lumit të Shalës po konsolidohen në produkte të mirëfillta turistike”, u shpreh ai.
“Është e vërtetë që turizmi ynë mbetet i varur nga kulmi veror, por sot kemi një bazë solide vizitorësh në dimër dhe në muajt jashtë sezonit. Vetëm qyteti i Shkodrës mban mbi 90% të netëve të akomodimit në muajt e ftohtë, duke garantuar që hotelet, restorantet dhe muzetë të mbeten hapur dhe stafi të vazhdojë të punojë”, tha Beci.
Beci u shpreh se ky është një ndryshim i madh nga e kaluara, kur aktiviteti pothuajse pushonte pas shtatorit pasi bizneset kanë më shumë arsye për të qëndruar hapur gjatë gjithë vitit dhe për të mbajtur të punësuar punonjësit e tyre.
Sipas tij, rritja e turizmit është arritje e përbashkët, por sfidat e reja kërkojnë bashkëpunim më të gjerë.
Deri tani, barrën kryesore e kanë mbajtur bizneset vendase të turizmit dhe vetë qytetarët që kanë ofruar mikpritje e shërbime. Por tani që turizmi është bërë realitet dhe një motor i rëndësishëm i ekonomisë sonë, sipas Becit, është koha për të hapur një dialog të strukturuar me sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile.
Kryetari i bashkisë Shkodër, u shpreh se strategjia e turizmit duhet të përqendrohet te forcimi dhe zgjerimi i ofertës përtej sezonit të verës, përballimi i presionit mbi shërbimet publike dhe mjedisin dhe si të ndërtohet një model që ruan interesat e komunitetit dhe vizitorëve njëkohësisht.
“Ky është drejtimi i ardhshëm, krijimi i një platforme të përbashkët për turizmin, ku biznesi, akademia dhe qytetarët të kontribuojnë me ide e zgjidhje. Vetëm kështu mund të garantojmë që rritja turistike të shoqërohet me cilësi, dinjitet dhe respekt për identitetin e Shkodrës dhe rajonit”, tha ai.
“Një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, urbane e kulturore janë tashmë në proces dhe efektet e tyre do të ndihen së shpejti. Detyra jonë është që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore ta përdorim si bazë për një zhvillim që i sjell dobi afatgjata qytetit dhe i jep Shkodrës vendin që meriton në hartën e turizmit shqiptar e rajonal”, përfundoi Beci.