Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci priti në një takim drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, si dhe disa nga arkitektët dhe urbanistët më të mirë të vendit.
Në fokus të takimit ishte zhvillimi urban i qytetit të Shkodrës.
Në një postim në rrjetet sociale Beci tha se “pas takimit vizituam nga afër disa prej investimeve aktuale dhe diskutuam mbi pikat kyçe të qytetit, për të cilat bashkia Shkodër ka projekte konkrete për zhvillimin e tyre”.
“Sheshet publike, parqet e lojërave, hyrjet e shkollave, kryqëzimet kryesore dhe nyjet e rrjetit të biçikletave, pedonalja e Velipojës, si dhe një sërë projektesh të tjera që e vendosin Shkodrën si kryeqendër të veriut, ishin pjesë e diskutimeve dhe inspektimeve në terren”, theksoi Beci.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “u evidentuan gjithashtu edhe ndërhyrjet urbanistike të 20 viteve të fundit, që kanë zënë hapësira të rëndësishme dhe që do të kthehen funksionale në shërbim të qytetit dhe komunitetit”.