Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka pritur sot disa tifozë të skuadrës “KF Vllaznia”.

Beci në një postim në rrjetet sociale ndau foto të takimit dhe i garantoi mbështetësit e skuadrës nënkampione të vendit, se ndeshjet e turit të parë eliminator në Conference League, “Vllaznia” do t’i luajë në impiantin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.

“Me disa tifozë të Vllaznisë që nuk janë ndarë asnjëherë nga ngjyrat kuqeblu – simbol i qytetit.

Një bisedë miqësore gjatë së cilës i garantova ata, dhe nëpërmjet tyre të gjithë tifozët, se Vllaznia do t’i zhvillojë ndeshjet evropiane në shtëpinë e vet, në stadiumin “Loro Boriçi”. Bashkia Shkodër nuk do ta cenojë në asnjë rast ecurinë e ekipit, por do të vazhdojë të mbështesë ngjyrat kuqeblu, siç ka bërë gjithmonë”, nënvizon kryebashkiaku Benet Beci.

Ky qëndrimi i kreut të bashkisë së Shkodrës vjen pas kërkesës së bërë nga vetë KF “Vllaznia”, që kërkoi anulimin e koncertit të këngëtarit Bujar Qamili, i parashikuar në datën 21 qershor, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”, event artistik që sipas drejtuesve të klubit sportiv cenon dhe kushtet e fushës për ndeshjen e kompeticionit evropian.

“KF Vllaznia u kërkon institucioneve përgjegjëse të anullojnë koncertin e planifikuar për t’u zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” sepse është kundër të gjitha rregullave të funksionimit të këtij impianti sportiv”, shkruan “KF Vllaznia” në një postim në rrjetet sociale, duke i bashkëngjitur edhe kërkesën.

Ndërkohë, klubi shkodran ka arritur edhe një marrëveshje me klubin sportiv “Teuta” për të garantuar mundësinë e luajtjes së ndeshjeve evropiane në qytetin e Durrësit në stadiumin “Niko Dovana”.

Sa i takon turit të parë të Conference Leauge, “KF Vllaznia” do të ndeshet me skuadrën letoneze të “BFC Daugavpils”. Takimi i parë është planifikuar me shkodranët si pritës, ndërsa i kthimit në Letoni.