Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se u lidh kontrata me vlerë 4.7 milionë euro, për fillimin e punimeve në rrugën Shirokë-Zogaj dhe sistemin e ujërave të zeza për këto zona.

Ky projekt do të zbatohet nga kompania ALB Star, e cila fitoi kontratën 4.7 milionë euro.

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është njoftuar për nënshkrimin e kontratës mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit/ Albanian Development Fund dhe kompanisë Alb Star, e cila parashikon që punimet të përfundojnë me 2 tetor 2025”, tha Beci.

Kryebashkiaku Beci u shpreh se “kjo ndërhyrje, është vijim i një sërë investimesh të mëdha që kanë përfshirë Shkodrën, ku ka nisur puna për hyrjen e qytetit, investimi 11 mln euro për segmentin nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, si dhe transformimin e Zdrales”.