Kryenegociatorët e grupit G20, të ekonomive kryesore të botës, përfshirë përfaqësues nga Moska, kanë rënë dakord për një draftdeklaratë të përbashkët përfundimtare nga samiti që po zhvillohet në Indonezi, konfirmoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Sipas informacioneve, pavarësisht rezistencës fillestare nga Rusia, vendet perëndimore arritën të fusin në draft një pasazh që dënon luftën kundër Ukrainës. Disa orë përpara konferencës për shtyp të Michel, diplomatët thanë se ”Rusia ishte gati të pranonte përfshirjen e ndryshimit të draftdeklaratës”. Deklarata shërben gjithashtu për të përshkruar sulmin e Rusisë ndaj fqinjit të saj si një luftë dhe jo një “operacion special ushtarak”, siç ka këmbëngulur presidenti rus Vladimir Putin. Miratimi i draftit nga Rusia shihet si një sinjal i mundshëm se Moska nuk mund të llogarisë më as në mbështetjen e partnerit të saj të fuqishëm, Kinës, në grupin G20 për çështjen e Ukrainës. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte njoftuar më parë lëshime nga Moska. Në një video nga ministria e tij, Lavrov, i cili përfaqëson Putinin në samit tha se ”deklarata përfundimtare do të pranohej”. Samiti dyditor i G20-ës në Bali nisi sot zyrtarisht. Vendet anëtare të G20-ës janë Gjermania, Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Britania e Madhe, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. https://ata.gov.al/2022/11/15/g20-be-te-gjitha-vendet-anetare-perfshire-rusine-bien-dakord-per-deklaraten-perfundimtare-te-samitit/