BE ka pezulluar aplikimin e tarifave speciale të planifikuara për produktet amerikane në konfliktin tregtar me Uashingtonin deri më 14 korrik.
BE-ja publikoi një njoftim në Gazetën Zyrtare të BE-së, duke zbatuar një njoftim të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen njoftoi javën e kaluar se masa, e cila ishte planifikuar më parë për mesin e prillit, do të pezullohej për rreth tre muaj.
Masa e BE-së është një reagim ndaj veprimeve të presidentit amerikan, Donald Trump – i cili pas turbulencave të mëdha në bursa dhe tregjet financiare – papritur vendosi një pezullim 90-ditor të tarifave të caktuara ndaj shumë vendeve.
Kjo hapësirë ”frymëmarrjeje” tani do të përdoret për negociata.
“Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic aktualisht ndodhet në SHBA për të siguruar terrenin për një zgjidhje të negociuar në takimet me kolegët e tij amerikanë”, njoftoi Komisioni Evropian.
Nëse bisedimet nuk janë të kënaqshme, BE do të marrë kundërmasa.