Më vjen shumë keq për vendimin e SHBA për të vendosur tarifa ndaj eksporteve evropiane të automobilave, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një shënim në X.
”Industria e automobilave është një shtytëse e inovacionit, konkurrencës dhe punëve me cilësi të lartë, përmes zinxhirëve të furnizimit të integruar në të dy anët e Atlantikut”, shtoi ajo.
”Siç e kam thënë më parë, tarifat janë taksa të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët, njëlloj në SHBA dhe Bashkimin Evropian. Tashmë do ta vlerësojmë këtë njoftim, bashkë me masat e tjera që SHBA parashikon në ditët në vijim”, theksoi Von der Leyen.
”BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike. Si një fuqi e madhe tregtare dhe një komunitet i fortë prej 27 shtetesh anëtare, ne do të mbrojmë së bashku punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë në të gjithë Bashkimin tonë Evropian”, përfundoi ajo.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi tarifa 25% për të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky është fillimi i çlirimit të Amerikës”, tha ai.
“Ne do të bëjmë që vendet që bëjnë biznes në vendin tonë dhe marrin pasurinë tonë të paguajnë (…) Ajo që do të bëjmë është të vendosim një tarifë 25% për të gjitha makinat që nuk janë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.
”Nëse ato janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara, nuk do të ketë absolutisht asnjë tarifë”, deklaroi presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë.
”Kjo është përveç detyrimeve doganore ekzistuese për këto mallra”, tha një këshilltar.
Tarifa prej 25% do të hyjë në fuqi më 2 prill dhe do të zbatohet për të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në SHBA, që do të thotë se edhe prodhuesit amerikanë me modele të prodhuara jashtë shtetit do të dëmtohen sipas skemës.
Tarifat janë të fundit në një mori taksash që presidenti i SHBA ka vendosur që nga marrja e detyrës.
Trump ka vendosur një tarifë 20% për të gjitha importet nga Kina dhe një tarifë globale prej 25% për produktet e importuara të çelikut dhe aluminit.
Në shkurt, Trump njoftoi 25% tarifa të përgjithshme për të gjitha importet kanadeze dhe meksikane.
Por, më vonë ai ndaloi taksën për mallra dhe shërbime të caktuara në përputhje me Marrëveshjen Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada (USMCA)