Bashkimi Evropian nisi një sfidë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër rregullave të Kinës për tarifat e honorarëve të teknologjisë së lartë, mes përshkallëzimit të tensioneve tregtare midis Pekinit dhe Brukselit.

Komisioni Evropian akuzoi Kinën se po u bën presion kompanive inovative evropiane të teknologjisë së lartë – për të ulur tarifat e tyre duke lejuar gjykatat e saj të caktojnë tarifa të detyrueshme të honorarëve në mbarë botën.

“Industritë e teknologjisë së lartë të BE-së duhet të lejohen të konkurrojnë në mënyrë të drejtë dhe me mundësi të barabarta”, tha Maros Sefcovic, komisioneri i tregtisë i BE-së.

“Aty ku nuk është kështu, Komisioni ndërmerr veprime vendimtare për të mbrojtur të drejtat e tyre”, shtoi ai.

Masa e BE-së vjen ndërsa tensionet tregtare po rriten në të gjithë botën, dhe mes deklaratës së Donald Trump për të vendosur tarifa pas kthimit të tij në Shtepinë e Bardhë.

Kjo ka nxitur më tej mosmarrëveshjet mes Pekinit dhe Brukselit, pasi ata akuzojnë njëri-tjetrin për praktika të padrejta dhe për këtë arsye marrjen e një sërë masash.

BE vendosi tarifa të larta për makinat elektrike të prodhuara në Kinë vitin e kaluar. Nga ana tjetër, Pekini shënjestroi pijet evropiane dhe nisi hetimet për subvencionet e BE-së për disa produkte të qumështit dhe mishin e derrit.

Sfida e fundit sillet rreth “patentave standarde thelbësore” që mbrojnë teknologjitë që mundësojnë që prodhimi i mallrave të përmbushë një standard të caktuar.

“Kompanitë evropiane mbajnë shumë patenta të tilla, veçanërisht në sektorin e telekomit”, sipas BE-së.

“Duke i lënë gjykatat e saj të caktonin tarifat e honorarëve në mbarë botën, Kina po i detyronte kompanitë e BE-së t’u jepnin kompanive të saj akses më të lirë në ato teknologji”, sipas bllokut prej 27 vendesh.

Brukseli tha se kërkoi konsultime në OBT, hapi i parë i procedurës së zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të organit ndërkombëtar, pasi asnjë zgjidhje e kënaqshme e negociuar nuk ishte arritur me Kinën.

Sipas rregullave të OBT-së, të dy palët kanë 60 ditë për të zgjidhur çështjen përpara se paditësi të mund të kërkojë krijimin e një paneli për të vendosur mbi të.

Pekini tha sot se “i vjen keq” për vendimin e BE-së për të nisur këtë sfidë të re në OBT.

“Kina i përmbahet rreptësisht rregullave të OBT-së dhe angazhimeve të saj për anëtarësim, duke përmirësuar vazhdimisht legjislacionin dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale”, tha në një deklaratë Ministria e Tregtisë e Pekinit.