Një aplikacion i ri digjital është planifikuar të lançohet për të parandaluar aksesin e fëmijëve në BE në pornografi dhe përmbajtje të tjera të papërshtatshme në internet.
“Komisioni Evropian po teston një prototip të një aplikacioni për verifikimin e moshës, i cili fillimisht do të zbatohet në Danimarkë, Francë, Spanjë, Greqi dhe Itali”, tha sot Komisioni në një deklaratë.
Verifikimi do të bëjë të mundur kontrollin anonim të moshës së përdoruesve – pa ruajtur të dhëna personale si emrin ose datën e lindjes së tyre.
Plani afatgjatë është integrimi i teknologjisë në kartën digjitale të identitetit të BE-së (eID) – një lloj prove zyrtare online e identitetit që do të jetë e disponueshme nga fundi i vitit 2026.
“Fëmijët meritojnë një fëmijëri digjitale të sigurt. Ky është një nga prioritetet kryesore të Presidencës daneze. Pa verifikimin e duhur të moshës, ne nuk do të mund t’i mbrojmë fëmijët online”, tha Caroline Stage Olsen, ministrja e Danimarkës për Çështjet Digjitale.
Komisioni Evropian ka publikuar gjithashtu udhëzime të reja për të ndihmuar platformat në mbrojtjen e të miturve.
Ai propozon që profilet e fëmijëve të jenë të vendosura si private dhe të mund të shihen vetëm nga kontaktet e konfirmuara.
Funksionet që nxisin sjelljen e varësisë – si lojërat online, të cilat janë krijuar për të detyruar përdorimin e përditshëm të aplikacioneve përmes sistemeve të shpërblimit – do të çaktivizohen për të miturit.
Masat e reja janë pjesë e zbatimit të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), i cili përcakton kërkesa më të rrepta për platformat e mëdha të internetit – me qëllim mbrojtjen e përdoruesve.
Disa vende të BE-së po bëjnë përpjekje për të vendosur një kufi moshe të standardizuar për aksesin në mediet sociale.