Kushti i BE është që në momentin e anëtarësimit me të drejta të plota të ketë një barazim mes moshës së burrave dhe grave.

“Ne moshën e daljes në pension po e rrisim me 2 muaj çdo vit dhe gratë dalin në pension 61- vjeç dhe dy muaj, ndërsa për burrat të cilët dilnin në pension 65 vjeç është parashikuar që deri në vitin 2056 të kemi barazim të daljes në pensione për burrat dhe gratë që do të jetë 67- vjeç. Por BE kërkon që kjo periudhë tranzitore që jetë më e shkurtër, pra të ndodhë para vitit 2056. Është një periudhë që ne ende po negociojmë për të rënë dakord sa e gjatë do të jetë periudha e tranzicionit”, tha ajo.

Manjani bëri të ditur se periudha e tranzicionit do të jetë e aplikueshme për të gjithë personat që janë ende pjesë e forcës së punës.

“Nëse ne do të marrim një vendim që barazimi i moshës së pensionit do të ndodhë deri në vitin 2040 apo 2045, do të duhet të parashikojmë në legjislacionin tonë që periudha e rritjes për gratë të jetë relativisht më e shpejtë, meqenëse mosha e tyre e daljes në pension është më e ulët dhe për burrat të jetë pak më graduale. E rëndësishme është që në momentin që hyjmë në BE ne të kemi rënë dakord për periudhën tranzitore dhe pas kësaj periudhe kjo moshë duhet të jetë e barazuar”, tha ajo.

Sipas Manjanit, po synohet që ky proces të jetë sa më i lehtë, pa krijuar deformime të lehtësive në tregun e punës.