Pesë vjet pas tërmetit të vitit 2019, Bashkimi Evropian vazhdon të luajë një rol kryesor në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt duke ruajtur ndërkohë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë. Hamami i Durrësit, një nga shumë monumentet e dëmtuara nga tërmeti, tashmë ka rihapur dyert falë programit EU4Culture, duke pritur vizitorë të shumtë.
Duke marrë parasysh vlerat dhe rëndësinë e tij për qytetin dhe Shqipërinë, hamami u përzgjodh si një nga 23 objektet e mbështetura dhe të restauruara në kuadër të programit “BE për kulturën”.
I ndërtuar në shekullin XVIII, hamami ndodhet në cepin juglindor të qytetit mesjetar, pranë Kullës Veneciane, dhe vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake. Me tri faza ndërhyrjesh, të cilat konsistojnë në zgjerimin e dhomës kryesore dhe shtimin e kolonave të reja dhe harqeve të cekëta në mesin e shekullit XIX, një restaurim gjatë viteve ‘70 të shekullit XX dhe modifikime për ngritjen e një kafeneje në fillim të viteve 2000, shumë prej elementeve të brendshme origjinale ishin ndryshuar apo hequr më herët.
I braktisur dhe i mbyllur, objekti u përball me dëmtime të rënda gjatë tërmetit të vitit 2019. Vetë struktura, e ardhur nga tri periudha të ndryshme, me pjesë murature të shtuara në secilën fazë historike përkatëse, funksiononte si tri struktura të veçanta, duke shkaktuar çarje serioze në pikat e nyjave dhe çarje anësore në kube.
Sot, objekti nuk është struktura e plotë që ka qenë dikur, pasi pjesë të hamamit origjinal, përfshirë dhomat dhe hapësirat, mungojnë duke errësuar kuptimin e plotë të planit dhe funksionit të tij origjinal. Megjithatë, seksionet e mbetura përfshijnë pjesë të sternës së ujit në pjesën e pasme të ndërtesës, e cila kalon përgjatë objektit.
Programi “BE për kulturën” u fokusua te ruajtja e sipërfaqeve, restaurimi i elementeve funksionale, stabilizimi strukturor i ndërtesës, përmirësimi i sistemit të kullimit dhe instalimi i sistemeve moderne për ndriçimin, mbikëqyrjen dhe sigurinë. Ai përfshiu gjithashtu një interpretim të bazuar në multimedia, që shpalos tingujt e hamamit, duke treguar historinë e ritualeve të tij dhe rëndësinë e tyre në Shqipëri. Zona përreth hamamit është rregulluar për t’u ofruar vizitorëve një hapësirë për të pushuar dhe reflektuar, si dhe është lidhur me Kullën Veneciane aty pranë.
Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimi dhe rijetësimi i 23 objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian, me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë eurosh.