Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Silvio Gonzato bëri të ditur sot se Bashkim Europian ka vendosur në dispozicion 25 milionë euro në kuadër të Garancisë Rinore që synon lehtësimin e tranzicionit të të rinjve nga arsimimi drejt vendit të punës. Në 1-vjetorin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, ambasadori Gonzato u shpreh se “BE mbetet e angazhuar për të ndihmuar brezin e ri në Shqipëri, sepse ai është e ardhmja jonë”. “Prej 3 muajsh që ndodhem këtu kam kuptuar se si ky vend po ecën me kohën dhe urgjenca për të ecur përpara është akoma më e rëndësishme. Në rast se Shqipëria nuk ndryshon, nuk e modernizon veten, nuk zhvillohet, atëherë të rinjtë do të largohen. Shumë janë larguar, por jam i sigurt që nëse atyre u ofrohet mundësia do të kthehen në Shqipëri, sepse kam mësuar se shqiptarët duan të shikojnë një të ardhme të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në BE”, u shpreh ambasadori. Gonzato shprehu vendosmërinë e BE-së për tu ofruar të rinjve këto mundësi. Ai theksoi se Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 është frymëzuar nga strategjia rinore e BE-së dhe është kuadri udhëzues në këtë drejtim.
“Pavarësisht fondeve dhe programeve për rininë që ne kemi në Shqipëri, dhe këto janë të shumta dhe shpesh në partneritet me shtete anëtare ose me OKB-në, në rast se ne me të gjitha këto fonde dhe programe nuk vazhdojmë tu ofrojmë të rinjve shqiptarë mundësitë të cilat u duhen, atëherë ne do të dështojmë, do të kemi zhgënjyer rininë shqiptare”, tha ai. Ambasadori Gonzato theksoi se “rinia e Shqipërisë nuk është thjesht vetëm e ardhmja e vendit tuaj, por është edhe e ardhmja e BE-së”. “Nëse punojmë fort, atëherë përpjekjet do të japin fryte dhe ne u japim atyre shance. Vitet e fundit BE ka filluar të investojë në formë masive në sistemin arsimor duke modernizuar edhe ambiente të ndryshme shkollore, si me anë të programit ‘BE për shkollat’, por edhe me partneritete. Po ashtu u kemi ofruar mundësi nxënësve dhe studentëve shqiptarë të studiojnë jashtë shtetit me anë të programit ‘Erassmus +’, i cili është zgjeruar tashmë”, tha ambasadori. Por, sipas tij, arsimi në vetvete dhe i vetëm nuk mjafton.
“Ne duhet të ofrojmë mundësi edhe për punësim. Plani i Rritjes, reforma e cila ne po bëjmë është një plan që ne e kemi lançuar dhe nga i cili do të përfitojë shumë Shqipëria. Ai krijon mundësi për një rritje e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe që duhet të ketë edhe investime në kapitalin njerëzor”, tha ai.
Ambasadori nënvizoi rëndësinë e masave për të lehtësuar tranzicionin nga shkollimi në tregun e punës.
“Garancia Rinore është shembull i një politike të mirë. Një projekt i BE-së, një skemë novatore e testuar në BE, që subvencionon kompaninë të marrin në punë të rinjtë nën moshën 30-vjeçare që ata të përfitojnë të marrin përvojë në punë. Mbi 24 milionë të rinj kanë përfituar nga skema në BE. Vetëm muajin e shkuar pilotimi i parë me një financim 2 milionë euro u lançua në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Ne duam që ky program të zgjerohet në gjithë Shqipërinë. Ne kemi caktuar 25 milionë euro për këtë program”, tha ambasadori.