Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Bashkimi Evropian (BE) është i gatshëm të sigurojë 1 milion predha artilerie dhe municionet për të cilat Ukraina ka nevojë urgjentisht. Zelenskyy foli në konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen e cila ndodhet për vizitë në Kiev për festimet e 9 Majit – Ditës së Evropës. “Ukraina ka treguar çdo ditë efektivitetin e mbrojtjes kundër agresionit rus. Çdo raketë terrori që rrëzohet, çdo sukses i ushtarëve tanë në zmbrapsjen e sulmeve ruse është dëshmi se mund të mposhtim agresorin”, tha Zelensky. Ai theksoi se ”aftësitë luftarake të Ukrainës janë në proporcion me aftësitë e Rusisë”. “Falënderova Von der Leyen për gatishmërinë e BE-së për t’i siguruar Ukrainës 1 milion predha artilerie dhe municionet e nevojshme urgjente”, tha Zelensky. Presidenti ukrainas tha se ka ardhur koha për të eliminuar pasigurinë artificiale politike në marrëdhëniet Ukrainë-BE. “Ka ardhur koha të merret vendim pozitiv në çështjen për fillimin e negociatave lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në BE”, tha ai. Pasi potencoi se në bisedën me Von der Leyen diskutuan për kufizimet që BE-ja zbaton kundër produkteve bujqësore të Ukrainës, Zelensky shtoi se çdo kufizim ndaj eksportit të vendit të tij është i papranueshëm sepse kjo do të forcojë aftësitë e Rusisë. “Propozojmë krijimin e një grupi konsultues për të ndjekur problemet përkatëse dhe për t’u distancuar nga dhënia e çdo vendimi lidhur me tregtinë pa u konsultuar me Ukrainën”, tha Zelensky. “Nga BE-ja presim vendime të fuqishme dhe heqjen sa më parë të të gjitha kufizimeve tregtare”, nënvizoi Zelensky duke shtuar se takimi me presidenten e KE-së tregon se ka vullnet politik për heqjen e kufizimeve tregtare. atsh