“Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron ta shmangë atë”, thuhet në dokument.

Strategjia e re është pjesërisht në përgjigje të deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, të cilat tregojnë se SHBA-ja mund të mos jenë më e disponueshme pa kushte si një garantues për paqen në Evropë.

“Arkitektura e sigurisë në të cilën ne u mbështetëm nuk mund të merret më si e mirëqenë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke theksuar nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe investimeve në aftësitë industriale të mbrojtjes evropiane.

Komisioni nënvizoi shtatë fusha në të cilat boshllëqet ekzistuese të aftësive ushtarake duhet të mbyllen si çështje prioritare.

Këto përfshijnë mbrojtjen ajrore dhe mbrojtjen nga raketat, sistemet me dronë dhe luftën elektronike.

Komisioni parashikon që shtetet e BE-së duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të blerë dhe porositur bashkërisht të paktën 40% të mallrave të kërkuara, në mënyrë që të kapërcejnë varësitë dhe të blejnë në mënyrë efikase sasi të mëdha materialesh harxhuese si municione, raketa dhe dronë.

Komisioni ka njoftuar tashmë se rreth 800 miliardë euro (875 miliardë dollarë) do të mobilizohen për projektet e riarmatimit – kjo përfshin një fond të ri prej 150 miliardë eurosh të shoqëruara me përjashtimin e përkohshëm të disa investimeve të mbrojtjes nga kufijtë e rreptë të borxhit dhe deficitit të bllokut.

Komisioni Evropian gjithashtu planifikon të lehtësojë rregulloret dhe kërkesat për industrinë e armëve, duke synuar të sigurojë mbështetje edhe më të fortë ushtarake për Ukrainën, e cila është nën sulmin rus.