Sipas parashikimeve, euroja digjitale do të mund të hidhet në treg në vitin 2029, ndërsa një fazë pilot pritet të nisë në vitin 2027, pasi të miratohet kuadri përkatës ligjor nga institucionet europiane.
Ja 5 pikat kryesore që shpjegojnë funksionimin e saj:
1. Çfarë është euroja digjitale
Euroja digjitale është një formë e monedhës publike – si paratë fizike, por në version elektronik. Ajo do të emetohet nga Banka Qendrore Evropiane dhe do të përdoret paralelisht me kartëmonedhat dhe monedhat tradicionale, pa i zëvendësuar ato.
2. Si do të funksionojë
Çdo qytetar do të ketë një “wallet” digjital, përmes një aplikacioni ose karte të posaçme. Me të, përdoruesit do të mund të kryejnë pagesa në dyqane, transferta midis pajisjeve, si dhe blerje online dhe jashtë vendit. Çdo pagesë do të funksionojë si transferim kredie te BQE.
3. Çfarë ndryshon për qytetarët dhe bankat
Pagesat digjitale nuk do të varen më vetëm nga operatorë privatë ndërkombëtarë si Visa, Mastercard, apo PayPal.
Për të shmangur largimin e depozitave nga bankat, parashikohet një kufi i mbajtjes së euros digjitale në portofol – rreth 3 000 euro. Për pagesa më të larta, portofoli mund të lidhet me llogarinë bankare.
4. Avantazhet kryesore
Euroja digjitale sjell kosto më të ulëta për qytetarët dhe bizneset, një sistem unik dhe të unifikuar pagesash në gjithë BE-në, si dhe më shumë autonomi europiane në infrastrukturën e pagesave.
5. Si do të kryhen transaksionet
Pagesat do të mund të bëhen online dhe offline.
– Online: të dhënat do të mbeten te bankat, siç funksionon aktualisht.
– Offline: paratë do të kalojnë drejtpërdrejt nga një pajisje te tjetra, në mënyrë anonime, duke ofruar të njëjtin nivel privatësie si pagesat me para në dorë.
Euroja digjitale do të jetë falas dhe e aksesueshme për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë llogari bankare ose lidhje interneti.





